× Njoftim: Bazuar në ligjin nr. 05/L-095 për Akademinë e Drejtësisë, ju njoftojmë se adresa zyrtare e Akademisë së Drejtësisë në internet është: ad.rks-gov.net ndërsa email adresa është infoad@rks-gov.net më shumë
29-04-2016

Deklaratë për shtyp “Mbrojtja e Dëshmitarëve - Sfidat në zbatimin praktik të legjislacionit”

Deklaratë për shtyp “Mbrojtja e Dëshmitarëve - Sfidat në zbatimin praktik të legjislacionit”

Me 26 prill 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Policinë e Kosovës si dhe me mbështetjen e projektit të BE-së WINPRO III të implementuar nga NI*CO, ka organizuar tryezën e rrumbullakët me temë: “Mbrojtja e Dëshmitarëve - Sfidat në zbatimin praktik të legjislacionit”.

Qëllimi i tryezës ishte diskutimi mbi sfidat, problemet dhe praktikat aktuale në Programin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe rolin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policisë në zbatimin e këtij programi.

Në fjalën hyrëse U.D. Drejtori i IGJK-së z. Besim Morina, U.D. Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale z. Reshat Millaku dhe Sam Black ekspert nga projekti WNIPRO III theksuan rëndësinë e kësaj tryeze e cila synon të shërbej si forum ku do të evidentohen problemet dhe propozohen zgjidhje për eliminimin e paqartësive sa i përket mbrojtjes së dëshmitarëve e në veçanti futjen e dëshmitarëve në Programin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve.

Në prezantimet e tyre, Prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit z. Lulzim Sylejmani dhe Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve z. Skënder Rrahmani prezantuan për situatën aktuale mbi dëshmitarët në kuadër të Programit mbi Mbrojtjen e Dëshmitarëve. U theksua se Drejtoria për Mbrojtjen e Dëshmitarëve është plotësisht funksionale dhe posedon teknologjinë e fundit në zbatim të programit, dhe mund të aplikohen të gjitha masat e parapara me ligj.

Pjesëmarrësit në tryezë vlerësuan kapacitetet e Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe theksuan se ky program është tejet i rëndësishëm për luftimin e veprave të rënda penale. Ndër sfidat kryesore që u diskutuan në këtë tryezë ishte krijimi i besimit të dëshmitarëve për këtë program. Në këtë aspekt pjesëmarrësit u zotuan që do të angazhohen brenda kompetencave të tyre të kontribuojnë në prezantimin e duhur të këtij programi për mbrojtjen e dëshmitarëve. Në veçanti, kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët u zotuan në inkurajimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për paraqitjen e kërkesave për futjen në program të dëshmitarëve.

Në fund të tryezës u nxorën konkluzione dhe rekomandime për mbrojtjen e dëshmitarëve në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët, Policia e Kosovës, dhe Shërbimi Korrektues.

shkarko deklaraten

Prapa